16/01/2021
TË NJOHIM KOLESTEROLIN
Ne mund ta lidhim kolesterolin me ushqime të yndyrshme, por pjesa më e madhe e tij prodhohet nga vetë trupi ynë. 75% e tij prodhohet nga mëlçia, ndërsa 25% merret nga ushqimet.
Simptomat e Kolesterolit të Lartë
Kolesteroli i lartë nuk ka asnjë simptomë, por shkakton dëmtime brenda trupit. Me kalimin e kohës, mund të çojë në një grumbullim të pllakave brenda arterieve të gjakut duke shkaktuar aterosklerozën, gjë që mund të sjellë sëmundje të zemrës. Lajmi i mirë është se kolesteroli i lartë zbulohet thjeshtë dhe ka shumë mënyra për ta ulur.
Testimi i kolesterolit
Personat mbi 20 vjeç duhet të kontrollojnë nivelet e kolesterolit të paktën një herë në 4-6 vjet. Kjo bëhet me një analizë të thjeshtë gjaku të njohur si lipidograma e cila mat nivelin e kolesterolit të keq dhe të mirë si dhe trigliceridet.
Kolesteroli 'i keq'
Pjesa më e madhe e kolesterolit në gjak bartet nga proteinat e quajtura lipoproteina me densitet të ulët ose LDL. Ky është i njohur si kolesterol i keq, sepse kombinohet me substanca të tjera duke bllokuar arteriet.
Kolesteroli 'i mirë'
Afërsisht 1/3-ta e kolesterolit në gjak bartet nga lipoproteinat me dendësi të lartë ose HDL. Ky quhet kolesterol i mirë, sepse ndihmon në heqjen e kolesterolit të keq, duke mos lejuar që ai të mblidhet brenda arterieve.
Trigliceridet
Trupi shndërron kaloritë e tepërta, sheqerin dhe alkoolin në trigliceride, një lloj yndyre që bartet në gjak dhe ruhet në qelizat dhjamore në të gjithë trupin. Njerëzit që janë mbipeshë, joaktivë, duhanpirës ose konsumatorë të alkoolit kanë tendencë të kenë trigliceride të larta, ashtu si ata që hanë një dietë me shumë karbohidrate. Një rezultat i triglicerideve prej 150 ose më i lartë ju vë në rrezik për sindromën metabolike, e cila është e lidhur me sëmundjen e zemrës dhe diabetin.
Kolesteroli total
Kolesteroli total mat kombinimin e LDL, HDL dhe VLDL (lipoproteina me densitet shumë të ulët) në qarkullimin tuaj të gjakut.