30/12/2024
Disfagia (Çrregullimi i gëlltitjes, Vështirësia në gëlltitje)
Disfagia përfshin çrregullimet që kanë lidhje me marrjen e ushqimit, përtypjen dhe gëlltitjen e ushqimeve të lëngëta dhe të ngurta (edhe të pështymës) nga goja për në stomak. Çrregullimet e gëlltitjes mund të manifestohen në mënyra të ndryshme: si dhimbje në gëlltitje, kalim të copave të ushqimit në rrugët e frymëshkëmbimit , që shkakton kollë, si dhe të vjella pas proçesit të gëlltitjes.
Shkaqet e disfagisë janë të ndryshme: ajo mund të shkaktohet nga një ftohje banale, një inflamacion i faringut, por edhe nga sëmundje neurologjike të rënda ose çrregullime psiqike.
Rreziqet dhe pasojat e çrregullimeve të gëlltitjes janë:
Rreziku i asfiksisë gjatë kalimit të ushqimit ose lëngjeve.
Bronkitet dhe pneumonitë, që shfaqen pas aspirimit të ushqimeve ose lëngjeve.
Rënia në peshë , mosushqyerja dhe dehidratimi : ushqyerja ose hidratimi i pamjaftueshëm për shkak të çrregullimeve të gëlltitjes dhe frikës nga asfiksia.
Presioni psiqik dhe izolimi shoqëror (evitimi i ngrënies jashtë shtëpisë me shoqërinë).