25/11/2015
PCOS ?
Sindromi i vezoreve policistike përfshijnë një varg simptomash, fillimisht me një ndryshim të ndërtimit të vezoreve të cilat gjatë vizitës ultrasonografike japin një ndërtim karakteristik, madhësia e të cilëve ndryshon nga madhësia normale e deri në shumë të rritur. Nën kapsulën e vezoreve shfaqën një varg folikulësh të vogla, që i japin një pamjen e qafores me rruza me madhësi maksimale deri në 7-8mm. Ky sindrom është përshkruar në vitin 1905, nga ana e Stein-it dhe Leventhal-it si një grumbull simptomash: amenore (mungesë e menstruacioneve), pilozitet i shtuar, shtim i peshës , majmëri, dhe vezore polikistike.
PCOS sindromi i vezoreve policistike shfaqët në rreth 3% të adoleshenteve dhe femrave të rritura. Mund të paraqitet që nga menstruacioni i parë. Relativisht shpesh e diagnostikojmë te femrat e reja, fillimisht për shkak të cikleve menstruale të pa rregullta gjatë pubertetit. Paraqet shkakun më të shpeshtë të hiperandrogjenemisë (shtim i nivelit të hormoneve seksuale mashkullore androgjeneve), në moshën para pubertetit. Niveli i ngritur i testosteronit vepron në gjëndrat dhjamore duke shkaktuar shfaqjen e seboresë (krunde në flokë) pucrrave-akne sidomos në fytyrë. Testosteroni, me veprimin në folikulin e qimeve, nxit shfaqjen e qimeve (hirsutizëm) të tipit mashkullor, ndërsa qimet e kokës hollohen, dobësohen dhe fillojnë e bien duke imituar rënie të flokut si te meshkujt tullac..
Derisa më herët në klasifikimet e më parshme, ndryshimet morfologjike në vezore luanin rol vendimtar, sot problemi përqendrohet në trajtimin endokrinologjik të pacientes. Rregullimet karakterizohen fillimisht me një disbalance të lehtë, më vonë me një prishje të statusit hormonal të shoqëruar me shtim të nivelit të hormoneve seksuale mashkullore testosteronit dhe androstendionit ( hyperandrogenaemia ), si dhe ndryshimin e funksionit të hipofizës me një mbizotërim të LH në raport me FSH-në gjerësisht inversion i marrëdhënieve të FSH/LH. Jo rrallë në këtë problem merr pjesë edhe gjëndra tiroide, (shfaqet zvogëlim i funksionit të gjëndrës tiroide, ngritje e nivelit të prolaktinës), pankreasi, shoqërohet me crregullim në prodhim të insulinës si dhe gjëndra mbi veshkore.
Simptomat:
Anovulacion kronik, me gjakderdhje të crregullta: mungesë e ovulacionit me muaj ose fare pa ovulacion.
Shtim i pilozitetit me shfaqje të pilozitetit të tipit femëror, akne, shtim i rënies së flokut, për shkak të shtimit të nivelit të testosteronit.
-Sterilitet.
-Shtim i peshës.
Fillimi i hershëm i crregullimeve hormonale dhe metabolike, si dhe një qëndrimi pasiv ndaj mjekimit të sindriomit të vezoreve polikistike, con në një mori rreziqesh për shëndetin e gruas si: gjakderdhje të parregullta nga mitra, shfaqja e dështimeve spontane për 2-3 herë shpesh, anemia, niveli i rritur i triglicerideve dhe kolesterolit në gjak. Në rreth 40% të rasteve te pacienteve me sindromin e vezoreve polcistike shoqërohet me rrezik të shfaqjes së hipertensionit arterial. Pjesëmarrja e sëmundjeve të sistemit kardiovaskular është shtatë herë më i shpeshtë, ndërsa rreziku i shfaqjes së sëmundjës së sheqerit shtohet për 16%. Kanceri i shtresës së brendshme të mitrës, endometrit për shkak të anovulacioneve kronike dhe shtimit konstant të nivelit të estrogjeneve për dy tri herë është më i shpeshtë.
Metoda kryesore në diagnostikimin e sindromit të vezoreve policistike është diagnostika ultrasonografike transvaginale. Gjatë kësaj vizite vlerësohet madhësia e vezoreve (1-3 herë më të rritur se madhësia normale e vezoreve), madhësia e stromës (pjesa e brendshme e vezorëve) , ndërsa ndërtimi i kësaj pjese është e mbushur me folikule të vogëla (duken si stoli - qafore me rruza) dhe ky ndërtim vezoreve u jep pamje mikrocistike. Në këto raste, edhe pse përdorët shprehja vezore policistike, nuk bëhet fjalë për ciste tumorale, por për folikule të cilët zhvillohen deri në një stad të caktuar po jo edhe deri në ovulacion, për shkak se crregullimi hormonal këtë nuk u mundëson. Së bashku me vizitën ultrasonografike për diagnozën e sindromit të vezoreve policistike shfrytëzohen edhe një varg si matja e fluksit të gjakut në vezore (color Doppler), përcaktimi i nivelit të hormoneve por edhe analiza e metabolizmit, testi i mbingarkesës me sheqer (OGTT), niveli i insulinës, matet sasia dhe shpërndarja e indit dhjamor dhe analiza të tjera, në vartësi prej simptomave që dominojnë.