12/10/2022
Cfarë është paraliza faciale?
Paraliza faciale ose paraliza e fytyrës është humbje e lëvizjes së muskujve të fytyrës vetëm në njërën anë dhe shkaktohet nga dëmtimi i nervit të shtatë të kokës (nervi facial): muskujt e ballit, të kapakëve të syve, faqeve, buzëve, etj.
Paraliza faciale ndahet në dy lloje: Periferike (Paraliza Bell) dhe Qendrore. Ajo që haset më shpesh është paraliza faciale periferike.
Shenjat klinike.
Shenjat klinike të paralizës faciale periferike janë: asimetri e fytyrës me tërheqje nga ana e shëndoshë, vështirësi ose pamundësi për ta rrudhur ballin nga ana e sëmurë, vështirësi/pamundësi për të mbyllur syrin nga ana e dëmtuar (kur përpiqet të mbyllë syrin shihet një rrotullim i bulbit okular lart dhe anash), vështirësi/pamundësi për të fryrë faqet si dhe për ti lëvizur. Gjithashtu mund të shoqërohet edhe me lotim të syrit, prishje të shijes në gjysmën e gjuhës nga ana e sëmurë si dhe dhimbje në pjesën e pasme të vesh*t.
Shkaktarë të tjerë mund të jenë:
– Hipertensioni
– Diabeti
– Sëmundja Lyme, sëmundje infektive që shkaktohet nga bakteret e llojit
Borrelia
– Sindroma Ramsay – Hunt, një infeksion viral i nervit facial
– Sëmundjet autoimune, si skleroza multiple, e cila ndikon në trurin dhe palcën kurrizore dhe sindromi Guillain-Barre, i cili ndikon në sistemin nervor.
Rehabilitimi i paralizës faciale
Lloji i terapisë që duhet ndjekur përcaktohet nga shkaktari. Terapia gjithashtu do të varet dhe nga kohëzgjatja e paralizës dhe nga lloji i dëmtimit i nervit facial. Edukimi mbi funksionimin e nervit facial dhe se si rehabilitohet paraliza faciale, është shumë i rëndësishëm në terapi kur doni të arrini rezultate maksimale. Kjo për shkak se ju duhet ta njihni shumë mirë fytyrën tuaj, mënyrën se si ajo lëviz, shikon, pushon dhe funksionet e saj.
Fizioterapia është shumë e këshillueshme pasi me anë të procedurave bëhet i mundur rikthimi i funksioneve të muskujve të fytyrës dhe rikthimi i tyre në gjendjen normale. Rekomandohet përdorimi i stimulimit elektrik (TENS), masazhe manuale dhe aktivizimi specifik i muskujve të fytyrës me anë të ushtrimeve të mimikës.