18/08/2024
Defiçiti i magnezit, simptomat, trajtimi.
Dr Marseda Spiro
Mjeke Interne, Gjermani.
Magnezi është një mineral i rëndësishëm për organizmin tonë, mangësia ose sasia e tepërt e të cilit mund të shoqërohet me pasoja serioze për shëndetin. Llogaritet diku te 10-20% e popullsisë në botë të vuajë nga një mangësi e magnezit, sidomos moshat e reja. Por organizmi jonë ka mekanizma që mundohen të mbajnë në vlerë normale nivelin e magnezit në organizëm e si pasojë një përqindje e vogël e popullatës zhvillon simptoma nga mangësia e magnezit në organizëm. Këta persona kanë kryesisht sëmundje kronike të zorrës që çon në një keqpërthithje të magnezit ose sëmundje kronike të veshkës që çon në një eleminim të magnezit nëpërmjet urines më të madh se norma.
●Ushqimet e pasura me magnez mund të përmendim: brokoli, farat e ndryshme si: luledielli, e susamit, linit, kungullit, bajamet, drithërat, fasulet, thjerrëzat, kakao, çokollata e zezë, spinaqi etj.
Por ka dhe ushqime që nxisin eleminimin e magnezit nga veshkat nëpërmjet urinës siç jane kofeina dhe alkoholi.
➡️Cilat janë simptomat kryesore të një niveli të ulët të magnezit në organizëm?
》 Marrje mendsh (vertigo), lodhje, dhimbje koke, gjendje depresive, mungesë oreksi, axhitim, dridhje ose krampe muskulore, ndjesi mpirje në duar ose këmbë, simptoma gastrointestinale si diarre ose kapsllëk ose një kombinim i të dyjave, palpitacione dhe probleme me rrahjet e zemrës si ndjesi parehatie, çrregullim i qarkullimit të gjakut në enët e gjakut.
》Te gratë shtatzanë një mungesë e magnezit mund të shfaqet me: nauze e të vjella, grumbullim i lëngjeve ne trup psh. në këmbë (edema, rritje e presionit të gjakut.
➡️Cilat janë disa nga shkaqet e mangësisë së magnezit?
》Marrje e ulët e magnezit nëpërmjet dietës ushqimore; çrregullime të ushqyerjes si anoreksia nervore dhe bulimia; konsumi i rregullt dhe ne sasi i alkoholit; sëmundje kronike të zorrës; diarre ose të vjella në sasi të madhe; sëmundje kronike të veshkave; mbifunksion i gjendrës tiroide ose paratiroide; rritje e nevojës së organizmit për magnez në gjendje stresi, shtatzani ose sport.
➡️Si mund ta rregullojmë nivelin e magnezit dhe si duhet të veprojmë kur flitet për suplemente magnezi?
》 Normalisht këshillohet një dietë e pasur ushqimore për të plotësuar nevojat ditore të organizmit për magnez. Për grupmoshat 19-65 vjeç sasia ditore e magnezit për meshkujt rekomandohet 350mg në ditë dhe për femrat 300mg në ditë.
Nëse kjo sasi nuk merret nëpërmjet dietës ushqimore dhe mund të kemi simptoma të mangësisë së magnezit ose psh në gjendjet si shtatzani ku shfaqen simptomat më lart ose ushtrimi sportesh/ fitnes/ stërvitje mund të merren suplemente magnezi.
⛔️Sasia ditore e suplementeve të magnezit rekomandohet 250mg/ditë e ndarë në 2-3 porcione.
⛔️ Suplementet mund të merren për një kohë të shkurtër pa rekomandim mjeku por kurrsesi nuk duhet të vazhdohen për kohë të gjatë pa u konsultuar me një mjek sidomos personat që vuajnë nga sëmundje kronike.