10/04/2022
Mundohuni të imagjinoni për disa çaste....imazhe pa fund që vijnë në mendjen tuaj. Të keni përpara syve veprimin që do të vijë pas, në rituale të zakonshme të ditës tuaj.Kjo ju bën të nxitoni në veprimet tuaja.
Imagjinoni që tinguj të cilët as nuk i vini re në të përditshmen tuaj...shiu që bie, zhurmat e makinave,muzika në lokal apo në një festë....të vijnë kaq të fuqishme në veshët tuaj,me fuqinë e një trapani apo ekskavatori që po punon ngjitur me ju.
Imagjinoni të shikoni fytyrën e një personi që po ju buzëqesh apo ju përshëndet...që ju shkakton një emocion aq të fortë,sa nuk mund t'a përballoni dot.... çorienton funksionimin e të gjitha shqisave tuaja...nuk përpunoni dot asnjë mesazh verbal, asnjë kërkesë që ju bëhet. Largoni shikimin në askund,por jeni të vetëdijshëm për çfarë po ndodh pranë dhe rrotull jush . Nuk gjeni dot mënyrën për të treguar dashurinë apo vëmendjen për të dashurit tuaj, sipas standardeve sociale....por ndieni shumë dashuri... shumë nevojë për të ndërvepruar. Fatkeqësisht nuk dini si të lidheni në mënyrën që ata presin prej jush.
Imagjinoni t'ju flasin në një gjuhë që nuk e kuptoni dot. Ju flasin me shumë fjalë dhe ndonjëherë edhe me zë të lartë që mesazhi t'ju vijë i qartë. Kjo ju çorienton akoma më shumë,sepse ju shton ankthin për çfarë duhet të bëni dhe çfarë po pritet prej jush.
Imagjinoni që rruga që bëni zakonisht për në punën tuaj është bllokuar dhe do duhet të kaloni në një rrugë tjetër. Kjo nuk ju shkakton thjesht pasiguri për a do të arrini në kohë në punë...kjo ju shkakton një mungesë totale kontrolli mbi veten dhe ambientin që ju rrethon. Shqetësoheni, qani dhe bërtisni që dikush t'ju kthejë në rutinën e zakonshme...atë që ju bën të ndiheni të sigurtë dhe në kontroll.
Nuk jeni fëmijë, njerëz tekanjozë. Nuk jeni të përkëdhelur. Nuk jeni grindavecë. Nuk është qëllimi juaj të mërzisni njerëzit që ju rrethojnë.
Jeni vetëm të mbindjeshëm... të çorientuar, të pamundur për të shprehur ndjesitë tuaja,të pamundur për të kuptuar fjalë apo situata të cilat të tjerëve duket se i vijnë natyrshëm.
Keni nevojë t'ju kuptojnë çfarë ju shqetëson; të mos pretendojnë të përshtateni sipas rregullit të tyre në situata sociale. Keni nevojë të respektojnë kohën që ju duhet. Keni nevojë t'ju qëndrojnë pranë,pa ju mbingarkuar emocionalisht.
Keni nevojë t'ju pranojnë kështu siç jeni!
T'ju respektojnë nevojat tuaja!
T'ju edukojnë me durim dhe me vëmendje ndaj reagimeve dhe ndjesive tuaja!
T'ju mësojnë me durim aftësitë e vetëndihmës dhe jo t'ju trajtojnë si të pamundur!
T'ju qëndrojnë pranë duke luajtur me lojëra të cilat ju japin juve kënaqësi!
Keni nevojë që bota të ndryshojë nga pak në habitatin tuaj ... në funksionin tuaj!
A nuk është kjo një nevojë e çdo fëmije???💙
Me shumë dashuri për të gjithë fëmijët dhe prindërit e tyre që njohin këtë realitet!
Matilda