02/03/2026
Në disa raste terapia është më efektive kur puna në tavolinë alternohet me shkëputje të shkurtra lëvizore. Këto momente nuk kanë nevojë të zgjasin shumë,mjaftojnë disa sekonda,minuta aktivitet fizik të drejtuar, e më pas rikthimi sërish në tavolinën e punës për të vazhduar.Ky cikël (punë – lëvizje – rikthim) ndihmon në rregullimin e energjisë, përmirëson përqendrimin dhe ul frustrimin e fëmijës.
Aktivitetet lëvizore mund të jenë shumë të thjeshta, por me qëllim të qartë:
• “Shko vendose lodrën në raftin blu.”
• “Më ndihmo të marrësh librin tek dollapi.”
• “Mund ta vendosesh dosjen në tavolinë?”
• “Hidhe topin në kosh tre herë dhe pastaj ulemi prapë.”
Në këtë mënyrë, fëmija:
• përfshihet në veprimtari funksionale,
• orientohet më mirë në hapësirën e klasës,
• përjeton ndjesinë e përgjegjësisë,
• kryen lëvizje motorike për të cilat ka shumë nevojë,
• dhe rikthehet më i qetë në aktivitetin e strukturuar.
Edhe në kopësht apo në shkollë, është e rëndësishme që mësuesja ta përfshijë fëmijën në detyra të vogla praktike, si:
• të shpërndajë fletët,
• të mbledhë lapsat,
• të fshijë tavolinën me një pecetë,
• të rregullojë karriget,
• të vendosë lodrat në kuti sipas kategorive,
• të çojë mesazhe të shkurtra në klasën tjetër (nën mbikëqyrje).
Këto ndërhyrje nuk janë thjesht “pushim nga puna”, por pjesë e punës. Ato ndihmojnë në integrimin sensorial, në organizimin trupor dhe në ndërtimin e vetëkontrollit. Për shumë fëmijë, veçanërisht ata me nivel të lartë energjie, lëvizja është parakusht për të mësuar.
Qasja më efektive është ajo fleksibile: të lexojmë nevojën e fëmijës, të mos e detyrojmë të qëndrojë përtej kapacitetit të tij aktual, por ta ndërtojmë gradualisht ,hap pas hapi qëndrueshmërinë përmes alternimit të strukturuar mes përqendrimit dhe lëvizjes.
✅ ❣️