19/03/2021
IKU NË QIELL EDHE I MIRI DOKTOR GERI
Ne mjekët, edhe pse e dimë që në kohë pandemie, kontakti me të sëmurin rrezikon seriozisht jetën tonë, për asnjë moment nuk e kemi menduar që të mos i japim ndihmën dhe ekspertizën profesionale të sëmurit. Nga afro 3500 mjekë që ka Shqipëria deri tani kanë humbur jetën mbi 35 mjekë nga covid- 19.
Nderim për jetë heronjve tanë bluzëbardhë të mjekësisë!
Para disa ditësh mes lotëve e dhimbjes pa kufi përcollëm kolegun tonë Gerond Husi! Humbja para kohe e Gerit u ka dhembur në mënyrë të tmerrshme familjarëve, por jo vetëm atyre. Geri ishte pjesëtar i cdo famije shqiptare që e ka njohur atë. Të gjithë ata që e kanë njohur humbën familjarin e vet: GERIN.
Ai ishte simboli i humanizmit. Ai ishte simbol i mjekut model. Gjithmonë me buzëqeshje, me urtësi, me qetësi, maturi, empati, me shkallë të lartë profesionalizmi ju ofronte të sëmurëve shërbimin e vet të çmuar. Geri ishte kolegu ynë i dashur, kolegu yne i shkëlqyer që nuk tha njëhere “jo” kur i kërkoje mendimin profesional për pacientët. Geri ishte njeri i ndershëm. Doktor Geri ishte më i mirë se mirësia!
Doktor Geri ishte engjëlli me bluzë të bardhë dhe stetoskop!
Të humbasësh një njeri të tillë, një koleg të tillë është një humbje e madhe ndaj Atë e mbuluan me lule e me lotë, familjarët, kolegët, pacientët, shokët.
U derdhën shumë lotë dhimbjeje, që buronin nga respekti dhe dashuria e pakufi, e merituar për Gerin.
Doktor Geri do të na mungosh tmerrësisht! Qëndro në paqe me engjëjt e tjerë edhe ti engjëlli me bluzë të bardhë e stetoskop!
Me shumë dhimbje, dashuri e respekt,
Polikron Pulluqi