12/01/2014
Kistet e Ovareve, diagnostikimi dhe trajtimi
Çfarë janë kistet e ovareve ?
Këto janë struktura të mbyllura, si qeska brënda në vezore që përmbajnë substancë të lëngët, të gaztë, apo gjysëm të ngurtë. Kistet ovariane janë shumë të zakonshme dhe në shumicën e rasteve ato nuk janë të rrezikshme dhe tkurren gradualisht. Megjithatë, në qoftë se ato nuk janë “funksionale”, duhet të tregohet kujdes, sepse mund të jenë kanceroze.
Kush janë shënjat e kisteve ovariane ?
Shumica e kisteve të ovareve nuk vihen re nga gratë nëse i kanë ato dhe ndonjëherë zhduken pa u kuptuar. Shënja më e zakonshme e prezencës së një kisti është dhimbja në bark ose në pelvis (legen). Dhimbja mund të shkaktohet nga: çarja e kistit, rritja e shpejtë dhe tendosja e tij, gjakderdhja në kist ose përdredhja e kistit rrotull furnizuesit të tij me gjak.
Nëse kisti është i madh, mund të shkaktojë fryrje barku, mostretje, ndjenjë ngopje pas ngrënies së një sasie të vogël ushqimi, urgjencë urinare, ndjenjë për jashtëqitje ose dhimbje gjatë marrëdhënieve seksuale.
Si diagnostikohen kistet e ovareve ?
Ndonjëherë kisti ovarian mund të vihet re nga mjeku gjatë një ekzaminimi të thjeshtë me duar të pelvisit (legenit). Nëse një kist dyshohet në bazë të shënjave ose ekzaminimit fizik, atëhere përdoret teknika e imazhit për t’a saktësuar atë. Shumica e kisteve diagnostikohen me ekografi, e cila është teknika më e mirë e imazhit për zbulimin e tyre. Imazheria me ultartinguj është pa dhimbje dhe e padëmshme.
Kur dyshohet nëse një kist ovarian është i rrezikshëm ?
Nëse një grua është në të 40-at e saj, apo më e re dhe ka perioda të rregullta menstruale, shumica e kisteve ovariane janë "funksionale". Këto janë të lidhura me procesin e ovulacionit që ndodh me ciklin menstrual. Për shkak se kontraceptivët orale veprojnë për të parandaluar ovulacionin, gratë që përdorin ato nuk kanë kiste ovariane “funksionale”. Ato mund të marrin vlerësim të mëtejshëm nëpërmjet ekografise së pelvisit duke sqaruar njëkohësisht dyshimimet për një tumor ovarian.
Kanceri ovarian është i rrallë tek gratë më të reja se 40 vjeç. Pas moshës 40 vjeçare, një kist ovarian ka shans më të madh për të qenë i keq edhe pse shumica e këtyre kisteve janë të mirë (beninj). Testi i gjakut CA - 125 mund të përdoret si një tregues për kancerin e ovareve.
Si trajtohen kistet ovariane ?
Shumica e kisteve ovariane tek gratë e moshës riprodhuese janë kiste funksionale që zhduken natyrshëm në intervalin kohor nga një deri tre muaj edhe pse ato mund të çahen dhe të shkaktojnë dhimbje. Ato janë të mirë (beninje) dhe nuk kanë pasoja shëndetësore afatgjata. Të gjitha gratë kanë kiste folikulare në një periudhë të caktuar dhe që në përgjithësi zhduken pa u vënë re. Ekografia është e dobishme edhe për të përcaktuar nëse kisti është i thjeshtë apo i përbërë (me përbërës solid që shpesh kërkon veprim kirurgjikal).
Trajtimi ideal i kistit ovarian varet se çfarë lloj kisti është. Për trajtimin e tyre përcaktuese është mosha e gruas, madhësia (apo ndonjë ndryshim në madhësinë e kistit) dhe pamja e kistit në EKO. Kistet që janë funksionale zakonisht vrojtohen nëse ato çahen dhe shkaktojnë gjakderdhje të konsiderueshme. Në këtë rast, trajtimi kirurgjik është i nevojshem. Tumoret beninje dhe malinje kërkojnë operacion.