03/02/2017
Sot në çeljen e kursit të trajnimit të 250 infermierëve të përzgjedhur shqiptarë, të cilëve do t'u jepet mundësia të punësohen në tregun europian, konkretisht në Gjermani, në kuadër të bashkëpunimit me qeverinë gjermane, për lidhjen e arsimit profesional me tregun e punës. Ne punuam fort për të tërhequr vëmendjen e qeverisë gjermane në këtë drejtim dhe nëse deri dje, askush s’kishte shans të imagjinonte që të shkonte në Gjermani dhe të punonte si i ligjshëm, sot i hapet rrugë punësimit të ligjshëm, në Gjermani, të rreth 250 vajzave e djemve të parë, të cilët marrin një kurs profesional në infermieri me një akreditim ashtu siç kërkohet për ata që shkojnë në Gjermani dhe paraqiten si punonjës të ligjshëm, jo si azilkërkues të paligjshëm. Por faktikisht, kjo rrugë e re hapet sot sepse ne bëmë një reformë të sistemit tonë arsimor, sepse ne ju referuam në këtë reformë sistemit arsimor gjerman dhe futëm praktikisht në Shqipëri arsimin profesional me sistemin dual gjerman, që do të thotë formim në shkollë dhe në ndërmarrje, për të pasur të gjitha profesionet që përfshihen në sistemin tonë të arsimit profesional, të lidhur me tregun e punës. Sigurisht që 250 infermierë apo infermiere nuk do të zgjidhin problemin e të gjithë atyre që duan të shkojnë dhe të punësohen në Gjermani, por ama janë shembulli kuptimplotë se nëse shanset për të marr azil janë zero, shanset për të realizuar ëndrrën e të jetuarit me punë të ndershme në Gjermani apo dhe vende të tjera të BE, ku nevojat e tregut janë shume të mëdha për një sërë profesionesh, janë të pafundme. Por ka një kusht paraprak: Të kesh një shkollë të vërtetë profesionale dhe duhet të marrësh një kartë akreditimi. Ky projekt afatgjatë vjen si bashkëpunim i Kompanisë gjermane DEKRA, Agjencisë Kombëtare për Arsim dhe Formim Profesional dhe “Biznes Albania”, me mbështetjen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.