09/04/2026
Në Kavajë, me arsimtarë, punonjës socialë, edukatorë dhe profesionistë të shëndetit për të folur mbi Autizmin.
Fondacioni Fëmijët Shqiptarë dhe Bashkia e Kavajës, në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit ndaj autizmit, sollën në një workshop të dhëna informuese, orientuese dhe edukuese në lidhje me diagnozën e hershme, shërbimet terapeutike, kujdesin prindëror, burimet e informimit, mbështetjen psiko-emocionale, dilemat dhe pasiguritë mbi ato që dimë dhe nuk dimë për autizmin dhe mbi të gjitha këshilla të vlefshme për çdo kategori , qoftë ky terapist, prind, apo edukator a mësues në lidhje me mirrërritjen dhe qasjen e fëmijëve dhe të rriturve me autizëm.
Drejtuesja e Fondacioni Fëmijët Shqiptarë Dr. Liri Berisha solli në vëmendje rëndësinë e reagimit ndaj shenjave të para dhe dëmet që shkakton hezitimi I prindërve gjatë kësaj periudhe. Diagnoza e hershme e cila nis me mjekun e konsultores duhet të ndiqet më pas nga qendra të certifikuara, nga profesionistët e duhur ndërsa në shkolla e kopshte fëmijët duhet të gjejnë ambiente të pranueshme me mësues dhe edukatorë që dinë të menaxhojnë situatat që krijohen – theksoi dr.Berisha.
“85% e fëmijëve që kanë marrë terapi që në moshë të hershme në qendrën rajonale për autizmin në Farkë sot kanë arritur të frekuentojnë shkollat ndërsa gjenerata të tërë terapistësh janë formuar nga kjo qendër dhe janë shpërndarë në të gjithë vendin dhe rajon” - tha Znj. Berisha.
Dr. Berisha theksoi nevojën për mbështetje të nënave që kanë fëmijë të rritur mbi moshën 18 vjeç duke e cilësuar nismën e dyfishimit të pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuar si të mirë por të cunguar, pasi përjashton dhe diskriminon të rriturit
Kryebashkiaku I Kavajës z.Fisnik Qosja solli përvojën shumë të mirë të qendrës ditore “Ngjyrat e Jetës” që mbështetet financiarisht nga bashkia e këtij qyteti duke I cilësuar shërbimet terapeutike dhe integrimin e këtyre fëmijëve si shtyllat e misionit të punës së stafit që merret me këtë kategori.
Logopedi Spiro Saqellari përcolli një prezantim me shumë interes për nënat e reja në lidhje me nevojat dhe mirëritjen e fëmijëve në moshën parashkollore. Ai e cilësoi bashkëverprimin në lojra me fëmijët që në javët e para si thelbësore për zgjimin dhe orientimin e shqisave, mprehtësimin e tyre dhe nxitjen në ndërveprim.
Drejtuesja klinike e Qendrës Rajonale për Autizmin në Farkë, Juliana Esaj përcolli një informacion të detajuar mbi aktivitetet dhe shërbimet që ofron qendra , që nga terapitë, metodat, librat dhe DVD e prodhuara, shërbimet ndaj prindërve, monitorimi në distancë, vlerësimet dhe rivlerësimet duke sqaruar se një diagnozë dhe ndjekje e mirë kërkon ekip, punë të strukturuar, bashkëpunim prindër-mjek dhe mbi të gjitha informim të pandalshëm e punë të durueshme nga të gjitha palët e përfshirë në proces.
Drejtuesi shkencor i Qendrës Rajonale për Autizmin në Farkë Prof.Ariel Çomo solli një analizë të plotë dhe të thelluar mbi ato që dimë dhe nuk dimë mbi atuzimin. Prof. Çomo solli në vëmendje pyetjet më të shpeshta që ngrihen për autizmin nga të gjitha katëgoritë sic janë ato mbi metodat që sot prevalojnë në terapi, ajo çfarë sot ndodh me individët pas moshës 18 vjeç, orët e terapisë së nevojshme në një javë, dilemat mbi alternativat farmakologjike, si dhe ato ndaj vaksinës së MMR.
Bashkia Kavajë