09/07/2014
Vëzhgim – Vlorë: Zonat e Mbrojtura Detare, një domosdsoshmëri për ruajtjen e standardeve mjedisore
- Specialistë të mjedisit në qytetin e Vlorës shtrojnë domosdoshmërinë e ruajtjes së standardeve mjedisore në hapësirën detare, përmes aplikimit të formave bashkëkohore në këtë fushë, mes të cilave përfshihet krijimi i Zonave të Mbrojtura Detare. Bregdeti shqiptar karakterizohet nga një larmi habitatesh, nisur nga fakti se Adriatiku dominohet nga bregdeti i ulët, ranor, me gjire, kepe dhe laguna interesante, ndërkohë që e kundërta ndodh me Jonin shkëmbor, me gjire e plazhe me gurë, me shpella e zgavra të shumta.
Sipas specialistit Petrit Dervishi, bota bimore përgjatë vijës bregdetare shqiptare paraqitet me një biodiversitet të lartë që pasqyrohet edhe nga numri i konsiderueshëm i algave të kuqe, të murme e të gjelbra dhe prania e disa llojeve të bimëve me farë. "Invertebrorët detarë përbëjnë pjesën më të madhe të faunës detare dhe janë shumë pak të njohur në Shqipëri, megjithëse janë përcaktues të strukturës trofike brenda ekosistemit dhe influencës në ciklin e dioksidit të karbonit në det", thekson Dervishi.
Llivadhet detare "Posidonia" përbëjnë një komunitet kyç në ekosistemin detar, pasi ato mbajnë fundin e detit në gjendje ekuilibri, janë burim ushqimi për shumë organizma dhe habitat i preferuar për shumë lloje, si dhe për grupe me rëndësi ekonomike, si peshq, gafore etj. Ato mbrojnë brigjet nga erozioni dhe shërbejnë si burim oksigjeni dhe lëndë organike.
Nisur nga kjo, ai evidenton domosdoshmërinë e thellimit të kërkimeve shkencore, identifikimit dhe inventarizimit të vlerave të biodiversitetit dhe përgatitjes së specialistëve të rinj të ekologjisë detare, ngritja e institucioneve përgjegjëse dhe kontrolli i aktiviteteve e lejeve që jepen, si dhe menaxhimi i qëndrueshëm i zonës bregdetare, ngritja sa më shpejt e Zonave të Mbrojtjes Detare si qendra të ruajtjes së biodiversitetit, trajnimi, kërkimi monitorimi, edukimi dhe nxitjes së turizmit.
Në Shqipëri është krijuar Zona e Mbrojtur Detare Sazan-Karaburun, me një sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 12500 hektarë. Por, ky fakt, sipas specialistëve nuk është i mjaftueshëm përballë gjendjes reale dhe rrezikut që ekziston në të ardhmen. Prandaj dhe për momentin përgjatë vijës bregdetare të Qarkut të Vlorës, nevojitet krijimi i të paktën dy zonave të tjera të mbrojtura, nga 7 habitate që janë evidentuar përgjatë bregdetit, ku mes të cilave spikasin ato të Gjipesë, të Porto Palermos, Ksamilit etj. /a.ke/
Nga. Harilla Koci - ATSH