21/05/2026
U MBAJTË TRYEZA SHKENCORE PËR MENAXHIMIN E MELANOMËS
Kolegji i Kirurgëve të Kosovës mbajti Tryezën Shkencore për Menaxhimin e Melanomës, duke bërë bashkë ekspertë të fushave të ndryshme mjekësore që shqyrtuan trajtimin e këtij tumori malinj me vdekshmëri të lartë në fazat e përparuara.
Diskutimet e ligjëruesve sipas klinikave dhe instituteve specifike u fokusuan në këto shtylla kryesore:
Dermatovenerologji: Asst. Dr. Sidita Sopjani dhe Asst. Dr. Reihane Bislimi Berisha theksuan se në fazat e hershme melanoma kurohet plotësisht vetëm me kirurgji. Rol kyç luan dermatoskopia, një metodë jo-invazive, e lehtë dhe me saktësi të lartë që aplikohet në klinikë. Ato bënë thirrje për fushata ndërgjegjësimi kundër dëmtimit nga rrezet ultraviolete (UV) dhe veçanërisht solariumet.
Radiologji: Dr. Shkendije Nuza prezantoi mundësitë imazherike (ultratingulli, CT, MRI dhe PET-scan) që përdoren në klinikë për vlerësimin e shtrirjes sistemike të sëmundjes, çka është vendimtare për përzgjedhjen e strategjisë terapeutike.
Patologji Klinike: Asst. Dr. Merita Hashani Bacaj referoi mbi rëndësinë e diagnostikimit definitiv përmes ekzaminimeve mikroskopike, imunohistokimike dhe gjenetike, si dhe mbi stadifikimin e sëmundjes si faktorin kyç për zgjedhjen e trajtimit bashkëkohor.
Kirurgji Plastike dhe Rekonstruktive: Dr. Sanije Abazi McMillion ndau përvojën e klinikës në trajtimin e suksesshëm kirurgjikal të pacientëve me melanomë.
Onkologji Mjekësore: Asst. Dr. Ilir Kurtishi dhe Prof. Asst. Dr. Faton Sermaxhaj prezantuan rezultatet premtuese të mjekimit bashkëkohor të melanomës metastatike me terapi të shënjestruar ("target") dhe imunoterapi, të cilat tashmë zbatohen në klinikë.
Radio-Onkologji: Dr. Arta Kameri Jusufi shpjegoi indikacionet dhe mënyrën e trajtimit me rrezatim (radioterapi) për pacientët që kanë nevojë për këtë modalitet.
Konkluzionet Kryesore të Tryezës
Trajtimi Multidisiplinar (Tumor Bordi): Menaxhimi i suksesshëm i melanomës mund të bëhet vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet të gjitha disiplinave mjekësore.
Regjistri Nacional: Ekspertët apeluan njëzëri për krijimin e Regjistrit Nacional të Melanomës në Kosovë.
Ngjarja mblodhi një numër të madh pjesëmarrësish: dermatologë, radiologë, kirurgë, patologë, onkologë, mjekë familjarë, infermierë, specializantë dhe studentë, diskutimet e të cilëve pasuruan këtë tryezë e cila synohet të shndërrohet në një forum shkencor të përvitshëm.