11/04/2025
Një reflektim i domosdoshëm mbi mënyrën si raportohen tragjeditë në rrjete sociale
Sot, në rrjetet sociale po qarkullon një video tronditëse ku paraqitet një vajzë në një situatë të rënduar, që përfundon fatkeqësisht me humbje jete. Përveç dhimbjes së madhe që ngjarje të tilla shkaktojnë, është shqetësuese mënyra dhe shpejtësia me të cilën publikohen dhe shpërndahen materiale të tilla në hapësirën publike.
Pas çdo lajmi tragjik që qarkullon, qëndron një njeri – dhe rreth tij, një familje, miq, njerëz që e kanë njohur, dashur dhe që përballen me një dhimbje të thellë. Shpërndarja e pamjeve të rënda jo vetëm që cenon dinjitetin e të ndjerit, por gjithashtu traumatizon familjarët, të afërmit dhe komunitetin. Për më tepër, këto përmbajtje janë të arritshme për fëmijë dhe të mitur, të cilët janë veçanërisht të pambrojtur ndaj ekspozimit ndaj dhunës dhe tragjedive.
Si profesioniste e shëndetit mendor, rekomandoj me përzemërsi:
• Të shmangen komentet spekuluese dhe të tipit “pse ndodhi” apo “si ndodhi” – dhe në vend të tyre, të ofrohen ngushëllime të sinqerta.
• Të ruajmë empatinë dhe ndjeshmërinë, duke respektuar dhimbjen e të prekurve.
• Të mos shpërndajmë video apo imazhe me përmbajtje traumatike.
• Të mos publikojmë foto të personave në gjendje të rënduar pa lejen e familjarëve.
• Të mos përhapim informacione të pakonfirmuara, sidomos para se familjarët të njoftohen zyrtarisht.
Të gjitha këto janë jo vetëm një çështje etike, por edhe humane.
Le të kontribuojmë në krijimin e një hapësire më të sigurt, më të ndjeshme dhe më të ndërgjegjshme për të gjithë.