27/04/2026
Njoftim për opinionin publik
Menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm Gjilan njofton opinionin publik se gjatë çdo dite pune, në ambulancën specialistike të ortopedisë trajtohen mesatarisht rreth 55 pacientë.
Ofrimi i këtij shërbimi është specifik, pasi në shumicën e rasteve kërkohet edhe përfshirja e shërbimit të radiologjisë. Në këto raste, po paraqiten vështirësi në sistemimin e radhëve.
Aktualisht, jemi duke zbatuar një plan që do të mundësojë rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore. Kjo do të na lejojë të ndajmë më shumë kohë për secilin pacient që kërkon shërbim në ambulancën e ortopedisë, duke siguruar vazhdim normal të punës.
Duke qenë se këto ditë kemi një fluks më të lartë të pacientëve në këtë shërbim, kërkojmë mirëkuptimin tuaj.
Po ashtu, duke marrë për bazë faktin se aktualisht ndodhemi në fazën e renovimit të shërbimeve kryesore, kërkojmë nga qytetarët – shfrytëzues të shërbimeve tona – mirëkuptim.
Njëkohësisht, ju sigurojmë se stafi i Spitalit të Përgjithshëm Gjilan do të bëjë maksimumin për ofrimin sa më cilësor dhe në kohë të shërbimeve shëndetësore.