11/01/2025
Çrregullimet në sjellje tek fëmijët kërkojnë një qasje të strukturuar dhe të kujdesshme për t’u trajtuar me sukses. Në rastet kur fëmija shfaq sjellje problematike, rekomandohen hapat e mëposhtëm:
1. Analizimi i sjelljes: Vlerësoni natyrën dhe frekuencën e sjelljes problematike për të kuptuar më mirë shkaqet dhe ndikimet e saj.
2. Identifikimi i situatave nxitëse: Përcaktoni rrethanat ose mjediset që shkaktojnë sjelljen e padëshiruar, si p.sh. situata stresuese ose ndryshime në rutinë.
3. Ndërhyrjet në sjellje: Përdorni shpërblime pozitive për të inkurajuar sjelljet e dëshiruara dhe shpërblime negative për të dekurajuar ato problematike.
4. Analiza e efektshmërisë së ndërhyrjeve: Monitoroni dhe vlerësoni se sa efektive janë strategjitë e zbatuara në ndryshimin e sjelljes së fëmijës.
5. Mbajtja e shënimeve: Regjistroni sjelljet e fëmijës për të identifikuar modele dhe për të vlerësuar progresin me kalimin e kohës.
6. Shpërblimi i përparimit: Inkurajoni fëmijën kur ai fillon të mos shfaqë sjellje problematike në situata ku më parë ka vepruar ndryshe, duke forcuar kështu sjelljet pozitive.
7. Bashkëpunimi prind-terapist: Një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet prindërve dhe terapistit është thelbësor për të siguruar një qasje të unifikuar dhe efektive në trajtimin e sjelljeve problematike.
Forma e prindërimit luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sjelljes së fëmijës. Disa këshilla për prindërit përfshijnë:
• Nuk është gabim të thoni “jo” në situata kur e shihni të arsyeshme; vendosja e kufijve të qartë ndihmon në formimin e disiplinës.
• Nuk është gabim ta përqafoni fëmijën kur kërkon afeksion, por sigurohuni që kjo të mos ndodhë si rezultat i qarjes ose bërtitjes; inkurajoni shprehjen e qetë të emocioneve.
• Nuk është gabim të injoroni kërkesat për vëmendje kur fëmija i shpreh në mënyrë të papërshtatshme; kjo ndihmon në mësimin e mënyrave të duhura për të kërkuar vëmendje.
• Nuk është gabim t’i plotësoni dëshirat fëmijës, por kërkoni që ai t’i shprehë ato qetësisht dhe pa qarë; kjo promovon komunikimin efektiv.
• Nuk është gabim të flisni në një gjuhë tjetër, por është e rëndësishme që në shtëpi e gjithë familja të komunikojë në të njëjtën gjuhë për të shmangur konfuzionin te fëmija.
Nëse prindi flet me fëmijën në një gjuhë të huaj, ndërsa me familjarët e tjerë në një gjuhë tjetër, fëmija mund të bëhet konfuz. Ky konfuzion mund të shkaktojë sjellje problematike, pasi fëmija nuk arrin të shprehë dhe të kuptojë nevojat apo dëshirat e tij.
Prindër, kini parasysh se të gjitha arrihen me kohë, punë dhe përkushtim. Ndërhyrja e hershme dhe e vazhdueshme është çelësi për të ndihmuar fëmijën tuaj të zhvillohet në mënyrë të shëndetshme dhe të suksesshme.