07/04/2026
Mos e neglizhoni gjëndrën tiroide, pasi ajo shkakton çrregullime të shumta
Sëmundjet e tiroides janë ndër çrregullimet më të shpeshta hormonale, të cilat shpesh kalojnë pa u vërejtur në fazat e hershme.
Për të kuptuar më mirë simptomat, rreziqet dhe rëndësinë e diagnostikimit në kohë, ju sjellim bisedën me Dr. Albiona Dajaku, specialiste e endokrinologjisë në Spitalin e Përgjithshëm " Dr. Sami Haxbibeqiri" në Mitrovicë.
Cilat janë shenjat e hershme të hipotiroidizmit?
Dr. Albiona Dajaku:
Hipotiroidizmi, apo siç njihet ndryshe “tiroidja e ngadalshme”, shpesh zhvillohet gradualisht dhe me simptoma të lehta, të cilat pacientët i atribuojnë lodhjes së përditshme apo stresit.
Ndër shenjat më të hershme përfshihen lodhja e vazhdueshme pa ndonjë arsye të qartë, ndjesia e të ftohtit edhe në kushte normale, si dhe shtimi në peshë pa ndryshime në regjimin ushqimor.
Po ashtu, shumë pacientë ankohen për lëkurë të thatë, rënie të flokëve dhe një ndjesi të përgjithshme “ngadalësimi” në mendim dhe përqendrim.
Simptoma të tjera të shpeshta janë kapsllëku, humori i ulët apo tendenca drejt depresionit, si dhe çrregullimet e ciklit menstrual te gratë.
Si mund të dallohet lodhja e zakonshme nga ajo hormonale?
Dr. Albiona Dajaku:
Lodhja është një nga ankesat më të shpeshta, por jo gjithmonë lidhet me probleme hormonale. Lodhja e zakonshme zakonisht vjen si pasojë e stresit, punës së lodhshme apo mungesës së gjumit dhe përmirësohet pas pushimit.
Ndërsa në rastin e hipotiroidizmit, lodhja është e vazhdueshme dhe nuk përmirësohet lehtë. Pacienti mund të zgjohet i lodhur që në mëngjes dhe të ndiejë mungesë energjie gjatë gjithë ditës. Kjo lodhje shpesh shoqërohet me simptoma të tjera si ndjesi ftohti, shtim në peshë, kapsllëk dhe rënie e flokëve.
A kanë sëmundjet e tiroides bazë trashëgimore?
Dr. Albiona Dajaku:
Një pjesë e madhe e sëmundjeve të tiroides, veçanërisht ato autoimune, kanë komponent trashëgimor. Kjo do të thotë se nëse një anëtar i familjes vuan nga probleme të tiroides, rreziku për pjesëtarët e tjerë është më i lartë.
Megjithatë, kjo nuk nënkupton që sëmundja është e pashmangshme. Me kontrolle të rregullta dhe kujdes të shtuar ndaj stilit të jetesës, është e mundur që problemet të zbulohen herët dhe të menaxhohen me sukses.
Rekomandohet kontroll periodik i hormonit TSH, ushqyerje e balancuar me jod në sasi normale, aktivitet fizik i rregullt dhe menaxhim i stresit. Gjithashtu, te gratë këshillohet kontroll pas shtatzënisë.
Kur është e nevojshme ekografia e tiroides?
Dr. Albiona Dajaku:
Ekografia e tiroides është një metodë e rëndësishme diagnostikuese, e cila ndihmon në vlerësimin e strukturës së gjendrës.
Ajo rekomandohet kur pacienti vëren zmadhim apo fryrje në qafë, ndjen një “gungë”, apo ka vështirësi në gëlltitje dhe frymëmarrje. Po ashtu, përdoret kur analizat hormonale rezultojnë jashtë normales ose kur dyshohet për sëmundje autoimune.
Në disa raste, edhe kur analizat janë normale, por simptomat janë të pranishme, ekografia mund të zbulojë ndryshime strukturore që nuk reflektohen në analiza.
Sa të rrezikshëm janë nodujt në tiroide?
Dr. Albiona Dajaku:
Nodujt, apo gungëzat në tiroide, janë shumë të shpeshtë, sidomos te femrat dhe me rritjen e moshës.
Megjithatë, shumica dërrmuese e tyre janë beninj dhe nuk paraqesin rrezik serioz për shëndetin. Vetëm një përqindje e vogël, rreth 5–10%, kërkon vlerësim më të thellë dhe ndjekje më të kujdesshme.
A ndikon tiroidja në shëndetin mendor?
Dr. Albiona Dajaku:
Hormonet e tiroides kanë ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e trurit. Kur ato janë në nivele të ulëta, ndikon negativisht në humor, energji dhe përqendrim.
Pacientët mund të përjetojnë simptoma të depresionit, mungesë motivimi, ndjenjë boshllëku dhe vështirësi në përqendrim, të njohura shpesh si “brain fog”.
Cili është ndikimi i tiroides në fertilitet dhe shtatzëni?
Dr. Albiona Dajaku:
Çrregullimet e tiroides mund të kenë ndikim të madh në fertilitet, duke çrregulluar ovulimin dhe ciklin menstrual dhe duke e bërë më të vështirë mbetjen shtatzënë.
Gjithashtu, një tiroide e pakontrolluar rrit rrezikun për komplikime gjatë shtatzënisë, si aborti spontan, lindja e parakohshme dhe preeklampsia.
Cili është roli i ushqimit në sëmundjet e tiroides?
Dr. Albiona Dajaku:
Ushqimi luan rol të rëndësishëm në menaxhimin e sëmundjeve autoimune të tiroides. Një dietë e pasur me perime, fruta dhe yndyra të shëndetshme ndihmon në uljen e inflamacionit dhe përmirësimin e gjendjes së përgjithshme.
Mesazhi i doktoreshë
“Mos i neglizhoni simptomat që zgjasin. Një kontroll i thjeshtë i tiroides mund të bëjë një ndryshim të madh në cilësinë e jetës suaj.”