31/12/2025
Një dekadë (10 vite) kardiokirurgji🫀 në Kosovë🇽🇰🇦🇱
▫️Nga fundi i vitit 2015 filluam me ndërhyrje kardiokirurgjike në Kosovë. Fillimisht në Spitalin Amerikan, më pas në Millennium Hospital, pastaj vullnetarisht në QKUK dhe së fundmi në United Hospital. Fillimi u shoqërua me sfida të mëdha; megjithatë, falë një ekipi të motivuar dhe maksimalisht të përkushtuar, sukseset ishin të pritshme.
▫️Nga operacionet e thjeshta deri te ndërhyrjet më komplekse, të gjitha u realizuan brenda vendit. Me hartimin e protokolleve të reja u standardizuan të gjitha ndërhyrjet në zemër dhe mushkëri. U implementuan protokolle të dozimit të medikamenteve, duke standardizuar gjithë procesin e trajtimit për të ofruar siguri maksimale për pacientët.
▫️Rezultatet nuk munguan dhe për herë të parë u prezantuan edhe publikisht.
🔴Për herë të parë në rajon filloi publikimi i rezultateve, komplikimeve dhe vdekshmërisë. Që në vitin e parë, rezultatet ishin të krahasueshme me qendrat e tjera evropiane të kardiokirurgjisë, të cilat kishin dekada përvojë në realizimin e këtyre ndërhyrjeve. Në vitet në vijim, vdekshmëria u ul deri në 0,8% – një arritje e paimagjinueshme më parë, veçanërisht në një periudhë kaq të shkurtër dhe me një fillim aspak të lehtë.🫶👏
▫️Duhet të theksohet se në Kosovë, që nga viti 2015, janë realizuar mijëra ndërhyrje kirurgjikale në zemër dhe mushkëri, duke u implementuar me sukses i gjithë spektri i ndërhyrjeve të thjeshta dhe komplekse në kardiokirurgji, përfshirë:
✅revaskularizimin e zemrës (bypass) në off-pump dhe on-pump, përfshirë edhe revaskularizimin vetëm me arterie;
✅rekonstruktimet e valvulës aortale sipas procedurave David, Bentall, Yacoub dhe Florida Sleeve;
✅rekonstruktimet e rrënjës së aortës dhe zonës subvalvulare me zgjerim për evitimin e mismatch-it protezik (Manugian, myektomi);
✅zëvendësimet e valvulës aortale;
✅rekonstruktimet dhe zëvendësimet e valvulës mitrale;
✅ rekonstruktimet dhe zëvendësimet e valvulës trikuspidale;
✅ korrigjimet e defekteve kongjenitale tek të rriturit, përfshirë:
✅Single Atrium, një patologji tepër e rrallë në mbarë botën, e realizuar me sukses në Kosovë në vitin 2017;
✅rekonstruktimet e ventrikulit të zemrës sipas procedurës Dor;
✅ kirurgjinë e aortës torakale dhe harkut të aortës, me zëvendësim të harkut dhe reimplantim të arterieve karotide dhe subklavia në protezë – ndërhyrje jashtëzakonisht komplekse, të realizuara me kosto të përballueshme për pacientët, pa kompromise në jetëgjatësi, përkundër ngarkesës së madhe kirurgjikale;
✅ kirurgjinë endovaskulare të aortës torakale me procedurën TEVAR;
✅operacionet e kombinuara të valvulës aortale, mitrale dhe trikuspidale, aortës ascendente me bypass;
✅largimin e tumoreve nga zemra;
✅ redo-operacionet (ndërhyrjet për herë të dytë në zemër);
✅ trajtimin kirurgjikal të infeksioneve të valvulave të zemrës (endokarditet e valvulës aortale, mitrale dhe trikuspidale);
✅patologjitë e mushkërive, nga largimi i tumoreve deri te pneumonektomia;
✅procedurat VATS (Video-Assisted Thoracoscopic Surgery);
✅korrigjimin e deformimeve të gjoksit (pectus excavatum) me shufra;
✅si dhe ndërhyrje të tjera më të vogla, si implantimi i pacemaker-it, AICD-së dhe trajtimi i infeksioneve të plagëve.
▫️Së fundmi, një pjesë e madhe e këtyre ndërhyrjeve realizohen edhe me teknika minimalisht invazive, si trajtimi i valvulës aortale dhe, së shpejti, edhe revaskularizimi i zemrës (bypass) me prerje minimale anësore.
▫️Gjatë kësaj dekade u trajnuan shumë mjekë dhe infermierë, duke u krijuar një kulturë e re pune e bazuar në përgjegjësi dhe përkushtim maksimal ndaj pacientit – gjithmonë pranë tij, në çdo kohë, pa u kursyer në asnjë moment.
▫️U realizuan shumë ndërhyrje për ish-luftëtarët, me lehtësime dhe lirime në pagesa, përkundër faktit se aktiviteti zhvillohej në institucione private. Në këtë drejtim nuk mungoi mirëkuptimi i udhëheqësive spitalore, vendime nga të cilat përfituan shumë pacientë nga radhët e ish-luftëtarëve, ushtarëve aktivë dhe policëve të Kosovës.
▫️Gjithashtu, u realizuan dhjetëra ndërhyrje shumë të komplikuara vullnetarisht në QKUK, për pacientët që nuk kishin mundësi të përballonin kostot në institucionet private, si pasojë e kushteve ekonomike dhe mungesës së sigurimeve shëndetësore.
▫️Derisa vazhdojmë përpara me motivim edhe më të madh dhe plane edhe më ambicioze për vitin e ardhshëm, synimi mbetet implementimi i inovacioneve më të fundit në kardiokirurgji, thellimi dhe zgjerimi i standardizimit, rritja e sigurisë dhe forcimi i përgjegjësisë profesionale ndaj pacientit.
▫️Viti 2026 mbetet një vit shprese që drejtësia të triumfojë, që abuzimet të ndëshkohen dhe që përgjegjësit të përballen me ligjin për veprimet e kryera, sidomos këto të lidhura me rastin e United Hospital.
🔹Ju urojmë një Vit të Ri të begatë, të suksesshëm dhe plot shëndet e energji. Një vit në të cilin shpresojmë të rikthehet ndërgjegjja dhe arsyeja e të jetuarit me nder dhe krenari, në mënyrë që së bashku të kontribuojmë në shëndet, zhvillim dhe përparim të vendit.
Gëzuar Vitin e Ri 2026🎄🥂❤️
🫀Kojqiqi Kardiokirurgji