21/11/2023
Pes Diabetica - Shputa diabetike
Është komplikim i shpeshtë që
paraqitet në mesin e njerëzve që vuajnë nga diabeti një periudhë të gjatë kohore e sidomos tek ata me diabet tip 2.
Është relativisht e zakonshme për njerëzit me diabet që të mos ndjejnë probleme me këmbë deri sa të paraqiten simptomat e para.
Sëmundja komplikohet me ngushtim të enëve të gjakut që shpesh çon deri tek zvogëlimi i qarkullimit të gjakut në pjesët e poshtme të këmbëve dhe në shputa.
Kjo ndodh për shkak se me uljen e qarkullimit të gjakut, ulet edhe sasia e oksigjenit dhe materieve ushqyese që furnizojnë lëkurën dhe indet, duke shkaktuar kështu dëmtime të rënda.
Në fazat më të avancuara, nervat dëmtohen aq shumë sa bëhen të pandjeshme, nuk përcjellin dot dhembjen, humbasin ndjesinë dhe rrinë të mpira. Kjo krijon një ndërlikim me rrezik të jashtëzakonshëm për dëmtim më të rëndë të këmbëve dhe shfaqjen e gangrenës e që në mjekësi është e njohur me emrin shputa diabetike.
Si pasojë e këtyre lëndimeve vështirë të shërueshme mund të vijë deri te amputimi i shputës, këmbës e në disa raste edhe te rrezikimi i jetës së vetë pacientit, andaj
duhet kushtuar kujdes të veçantë.
Kujdesin më të mirë për shputën diabetike e mundëson
mjekimi adekuat, lënia e duhanit dhe ecja e përditshme e karakterit ushtrimor e pacientit.
Çdo mbrëmje duhet të kontrollohen shputat dhe kur këtë nuk mund ta bëni vetë, atëherë këtë kontroll duhet ta bëjë ndonjëri nga familjarët.
Pastroni shputat tuaja çdo ditë me ujë të vakët dhe sapun. Pas larjes ato duhet të fshihen me kujdes,
veçanërisht në mes të gishtërinjve, me një pëlhurë të thatë dhe të pastër prej pambuku.
Kurrë mos ecni zbathur jashtë në natyrë e as brenda shtëpisë.
Mbathni çorapë gjatë gjithë kohës, por assesi të thurur, provoni çorapët e lëmuar që janë të fabrikuar veçanërisht për përkujdesjen e shputës diabetike.
Mos përdorni kremra yndyrore në mes gishtave tuaj.
Mos përdorni substanca kimike për largimin e
sipërfaqeve të brinjëzuara, mos i këputni vetë sipërfaqet e brinjëzuara.
Preni thonjtë e këmbëve në formën e drejtë.
Mos mbani këmbët kryq pasi kjo mund të shkaktojë presion në nerva dhe enë të gjakut.
Kontrolloni brendësinë e këpucëve tuaja nëse ka ndonjë objekt të fortë në to apo hapësira të vrazhda që do të mund t'ua dëmtojnë shputën.
Këpucët duhet të jenë të përshtatshme dhe të kenë formë adekuate, ku gjatësia, gjerësia dhe lartësia tek gishtërinjtë duhet të jenë të mjaftueshme.
Mos e pini duhanin ose mos qëndroni në ambiente ku pihet duhani.
Nëse vëreni ndonjë ndryshim tek shputat, menjëherë paraqituni tek mjeku juaj ose kontaktoni Thirre Mjekun!
Prishtinë
+383 49 636 171