03/06/2022
Vitiligo është një sëmundje kronike e fituar, që karakterizohet nga humbja e pigmentit melaninë (përgjegjës për ngjyrën e lëkurës, flokëve/qimeve dhe syve) në formën e njollave, të cilat i japin lëkurës ngjyrë të bardhë. Shkaku i kësaj humbjeje të pigmentimit është një frenim ose shkatërrim i qelizave që prodhojnë melaninën (melanocitet). Njollat e bardha mund të shfaqen kudo në trup, madje edhe në mukozat, flokët/qimet ose sytë. Ndonjëherë njollat zhduken vetë, por më shpesh ato shkrihen me njëra-tjetrën për të formuar zona më të mëdha, ose shtrihen në disa pjesë të trupit.
Vitiligo prek rreth 0.5-1% të popullsisë, pavarësisht nga gjinia dhe ngjyra e lëkurës. Sëmundja mund të zhvillohet në çdo moshë, madje edhe në fëmijëri, por zakonisht ndodh para moshës 20 vjeçare. Në rreth një të tretën e të prekurve, ka një predispozicion familjar për këtë sëmundje. Vitiligo gjithashtu gjendet shpesh e bashkëshoqëruar me disa sëmundje autoimune (që prekin kryesisht gjendrën tiroide).
Vitiligo nuk është sëmundje e rrezikshme, nuk shkakton dhimbje dhe nuk është ngjitëse. Megjithëse vitiligo paraqet thjesht një problem kozmetik në pamje të parë, në të vërtetë është një sëmundje kronike, evolucioni i të cilës ndonjëherë është serioz dhe në shumë njerëz shkakton vuajtje të konsiderueshme, ndonjëherë edhe depresion.
Vitiligo është e pashërueshme. Megjithëse ka mundësi të ndryshme trajtimi, që mund ta ndihmojnë personin e prekur, trajtimi është afatgjatë dhe duhet të zgjidhet individualisht për secilin pacient. Qëllimi i alternativave të trajtimit që disponohen aktualisht është që të ndalohet përparimi i sëmundjes dhe të nxitet formimi i pigmenteve të reja të lëkurës.
Për më shumë informacion ose vizitë na kontaktoni në 044440050.