28/03/2026
INTELEGJENCA ARTIFICIALE (AI) DHE SHËNDETI MENDOR
Dr. Shaban A. Mecinaj mr.sci
Psikiatër
Në botën moderne, inteligjenca artificiale (AI) po bëhet gjithënjë e më e pranishme, veçanërisht në sektorët si shëndetësia dhe shëndeti mendor. Zhvillimi i aplikacioneve mobile dhe chatbot-eve u mundëson njerëzve të marrin mbështetje për shëndetin mendor në një mënyrë të thjeshtë dhe të qasshme. Megjithatë, para se AI të integrohet plotësisht në shërbimet shëndetësore, është e rëndësishme të bëhën të ditura aspektet etike si privatësia e të dhënave, paragjykimi në algoritme dhe roli i terapeutëve njerëzorë.
Një nga aspektet më të rëndësishme në përdorimin e AI në shëndetin mendor është mbrojtja e privatësisë së pacientëve. Informacioni që pacientët ndajnë me rrjetet AI duhet të mbetet konfidencial, në të kundërtën raste të tilla mund të kenë pasoja të rënda emocionale dhe psikologjike për përdoruesit. Prandaj, politikat e qarta të privatësisë mbetën kyçe për ndërtimin e besimit midis pacientëve dhe shërbyesve të shëndetit mendor.
Evoluimi i AI-së kontribuon në mënyrë efektive në zbulimin e hershëm, diagnostikimin dhe menaxhimin e referimit të çrregullimeve të shëndetit mendor. Hulumtimet kanë treguar se AI është mjaftë premtuese në zbulimin e disa sëmundjeve dhe crregullimeve të shëndetit mendor si autizmi, krizat epileptike, madje edhe fazat e hershme të skizofrenisë. Për më tepër, AI është në gjendje të zbulojë përkeqësimin kognitiv, apo edhe ndryshimet në modelet e sjelljes dhe të paralajmërojnë kujdestarët ose ofruesit e shërbimeve për këtë. Me zbulimin e hershëm, profesionistët e shëndetit mendor janë në gjendje të ofrojnë mbështetjen më të mirë të mundshme pacientëve që kanë nevojë për të.
AI ndihmon terapistët duke ofruar analiza dhe rekomandime të bazuara në të dhëna. Për shembull, AI analizon shënimet e seancave për të zbuluar modele ose përparim që mund të mos jenë menjëherë të dukshme për terapistin. Gjithashtu, automatizon detyrat administrative, të tilla si planifikimi dhe dokumentimi, duke i lejuar terapistët të përqëndrohen më shumë te interaksioni i drejtpërdrejtë me klientin. Megjithatë, pavarësisht këtyre përfitimeve, shumë klinicistë të shëndetit mendor mbeten të shqetësuar në mënyrë të kuptueshme për rreziqet dhe sfidat që lidhen me rritjen e pranishmërisë së inteligjencës artificiale.
Një nga shqetësimet kryesore të klinicistëve të shëndetit mendor përfshin çështjet që lidhen me etikën dhe privatësinë. Sistemet e inteligjencës artificiale shpesh kërkojnë akses në të dhëna personale të ndjeshme, gjë që ngre pyetje mbi sigurinë dhe konfidencialitetin e të dhënave. Shpeshëherë terapeutët aplikojnë parime etike dhe arsyetim moral në praktikë, duke trajtuar çështje të ndjeshme me një perspektivë intuitive dhe përvojë personale!? Sistemet e inteligjencës artificiale mund të kenë vështirësi me kompleksitetet etike dhe konsideratat morale në të njëjtën mënyrë si një terapeut njerëzor, por pa ‘ndjesinë e brendshme’ të njeriut që mund të ndihmojë në arsyetim.
Ndërsa AI mund të ofrojë disa mbështetje dhe informacione, asaj i mungon prekje apo kontakti njerëzor, i cili është thelbësor për marrëdhëniet terapeutike. Terapia nuk ka të bëjë vetëm me ofrimin e zgjidhjeve, por edhe me zhvillimin e një marrëdhënie mbështetëse dhe empatike, të cilën, të paktën për kohën aktuale, AI mund të ketë vështersi ta ofrojë.
Pra, AI nuk mund të njohë sinjalet jo-verbale, gjë që mund të çojë në vlerësime të pasakta dhe këshilla potencialisht të dëmshme. Për shembull, hulumtimet e fundit kanë gjetur se modelet e inteligjencës artificiale kanë bërë komente të rrezikshme për njerëzit me deluzione ose ide vetëvrasëse.
Gjithë këto sfida, por edhe shumë të tjera, sic duket do ta përcjellin zhvillimin e mëtejm të shëndetit mendor, për cka edhe zgjidhjet konkrete do të fitojnë në kompleksicitetin e vet. Bashkë më të do të përcjellet edhe pikëpyetja e madhe, deri ku mundet IA të zëvëndësoj njeriun – profesionistin në ofrimin e shërbimeve nga shëndeti mendor!?