14/04/2026
DORËZOHU KUR DHIMBJA JOTE ËSHTË E THELLË.
Kur dhimbja jote është e thellë, çdo bisedë për dorëzim mund të të duket e kotë dhe pa kuptim. Kur dhimbja jote është e thellë, me gjasë do të ndiesh një nevojë të fortë për t’i ikur asaj, e jo për t’iu dorëzuar. Nuk dëshiron të ndjesh atë që po ndien. Çfarë mund të jetë më e natyrshme se kjo?
POR NUK KA RRUGËDALJE.
Ka shumë rrugë të rreme – puna, alkooli, drogat, zemërimi, projekcionet, shtypja e emocioneve etj. – por ato nuk të çlirojnë nga dhimbja. Vuajtja nuk zvogëlohet në intensitet kur e bën atë të pavetëdijshme. Kur mohon DHIMBJEN EMOCIONALE, çdo gjë që bën apo mendon, si dhe marrëdhëniet e tua, ndoten nga ajo. TI E RREZATON, për ta thënë kështu, si një energji që të tjerët e ndiejnë në mënyrë të pavetëdijshme. Nëse ata janë të pavetëdijshëm, madje mund të ndihen të shtyrë të të sulmojnë ose të të lëndojnë në ndonjë mënyrë – ose ti mund t’i lëndosh ata përmes projektimeve të pavetëdijshme të dhimbjes tënde.
TI TËRHEQ DHE MANIFESTON ATO QË PËRPUTHEN ME GJENDJEN TENDE TË BRENDSHME.
Kur nuk ka dalje, ekziston ende një rrugë PËRMES DHIMBJES – prandaj mos u tërhiq.
PËRBALLU ME TË, NDIEJE PLOTËSISHT, NDIEJE!
Mos mendo për të! Shprehe nëse duhet, por mos krijo një skenar në mendjen tënde.
Drejtoje vëmendjen tënde të plotë te NDJENJA, e jo te personi, ngjarja apo situata që të duket sikur e ka shkaktuar. Mos e lejo mendjen të shfrytëzojë dhimbjen për të krijuar identitetin e viktimës, sepse keqardhja për veten dhe tregimi i historisë tënde të tjerëve do të të mbajë të ngujuar në vuajtje.
Pasi është e pamundur të ikësh nga ndjenjat, e vetmja mënyrë për ndryshim është të HYSH NË TO, përndryshe ASNJË GJË NUK DO TË NDRYSHOJË.
Prandaj, përqendrohu plotësisht në atë që ndien dhe përmbahu nga etiketimi.
Ndërsa hyn në ndjenjë, qëndro plotësisht i vetëdijshëm.
NË FILLIM MUND TË TË DUKET SI NJË VEND I ERRËT DHE I FRIKSHËM, dhe kur të lind dëshira për t’u larguar prej saj, vëre, por mos vepro mbi të.
Vazhdo ta përqendrosh vëmendjen në dhimbje; vazhdo të ndiesh trishtimin, frikën, tmerrin, vetminë – çfarëdo qoftë.
QËNDRO I VETËDIJSHËM, I PRANISHËM ME GJITHË QENIEN TENDE, me çdo qelizë të trupit tënd.
PRANOJE ATE; dhe pastaj shiko si MREKULLIA E DORËZIMIT E SHNDËRRON DHIMBJEN E THELLË NË PAQE TË THELLË…
— Eckhart Tolle: Fuqia e Tanishme (The Power of Now)